Secondary Adv

Qeveria miraton uljen e akcizës me 20 për qind, kur benzina kalon 200 lekë dhe nafta 220 lekë/litër

Qeveria ndërhyn me ulje të akcizës për benzinën dhe naftën kur çmimet kalojnë pragjet e përcaktuara.

Këshilli i Ministrave pritet të miratojë një akt normativ që parashikon uljen e përkohshme të akcizës për benzinën dhe naftën, si reagim ndaj rritjes së fortë të çmimeve ndërkombëtare që po reflektohen edhe në tregun vendas. Sipas Ministrisë së Financave, ndërhyrja synon të mbrojë konsumatorët dhe bizneset nga efektet e krizës së shkaktuar nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ndërsa është shpallur edhe situata e veçantë në tregun e hidrokarbureve për të aktivizuar mekanizma emergjentë.

 

Masat parashikojnë që në momentin kur çmimi i shitjes me pakicë, i përcaktuar nga Bordi i Transparencës, kalon mbi 200 lekë për litër për benzinën dhe 220 lekë për litër për naftën, niveli i akcizës të ulet në 80 për qind të nivelit aktual, që përkthehet në një ulje prej 20 për qind.

 

Për vitin 2026, niveli aktual i akcizës për benzinën dhe gazoilin është 39.37 lekë për litër, ndërsa sipas propozimit do të zbresë në 31.5 lekë për litër për të dy produktet. Kjo ulje hyn në fuqi automatikisht vetëm në rast se çmimet tejkalojnë pragjet e përcaktuara.

 

Efekti në çmimet e karburanteve

Sipas llogaritjeve, duke marrë në konsideratë çmimet në treg në datën 20 mars 2026, kur u shpall situata e veçantë, ulja nga akciza përkthehet në rreth 7.9 lekë për litër, ndërsa efekti total në çmim, përfshirë edhe ndikimin e TVSH-së, arrin në rreth 9.45 lekë për litër.

 

Në atë moment, çmimi tavan i gazoilit kishte arritur në 226 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës në 196 lekë për litër, sipas metodologjisë që përfshin çmimet ndërkombëtare FOB Med, kursin e këmbimit, taksat dhe marzhet e tregtimit.

 

Masa të përkohshme dhe ndikimi në buxhet

Ndërhyrja vjen si pjesë e një pakete të dyfishtë masash, ku fillimisht u vendosën çmime tavan nga Bordi i Transparencës, me kufizim të marzheve të fitimit deri në 3 lek për shumicë dhe deri në 12 lek për pakicë, ndërsa tani po aplikohet edhe lehtësimi fiskal përmes uljes së akcizës.

 

Akti normativ do të ketë karakter të përkohshëm dhe do të jetë në fuqi vetëm gjatë periudhës së situatës së veçantë, pa sjellë efekte afatgjata në politikën fiskale. Ministria e Financave thekson se ndikimi në buxhet mbetet i vështirë për t’u parashikuar për shkak të paqëndrueshmërisë së tregjeve ndërkombëtare, por humbjet nga ulja e akcizës pritet të kompensohen pjesërisht nga rritja e të ardhurave nga TVSH-ja.

 

Kjo ndërhyrje vjen në një kohë kur Shqipëria, njësoj si vendet e rajonit dhe Bashkimit Evropian, po përdor masa të përkohshme fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë mbi ekonominë dhe konsumatorët.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat